291 - Lajmi Single | AMMK

Bashkëpunim për fuqizimin e mbrojtjes së Parqeve Kombëtare

04 March 2016

foto

04.03.2016- Kryeshefi i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, Dr.sc.Ilir Morina, ka realizuar sot një takim me kryeshefin ekzekutiv të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar z. Rrahim Rama. Temë kryesore e diskutimit ka qenë bashkëpunimi midis dy agjencive në koordinimin e aktiviteteve për mbrojtjen e pyjeve në Parqet Kombëtare dhe parandalimin e krimeve mjedisore në këto zona të mbrojtura.  Me theks të veçantë është diskutuar për bashkërendimin e veprimeve për konfiskim apo sekuestrim në rastet e evidentimit të dëmeve nga prerjet ilegale në Parqet Kombëtare dhe dëmeve tjera që hyjnë në kategorinë e krimeve mjedisore.   

 

Në kuadër të hapave të ardhshëm të bashkëpunimit për fuqizimin e mbrojtjes së Parqeve Kombëtare dhe zonave tjera të mbrojtura, u propozua që përveç bashkëpunimit me Policinë e Kosovës, me Gjykatat Themelore dhe Prokuroritë Themelore të koordinohen aktivitetet edhe me Zyrën e Koordinatorit Nacional për Luftimin e Krimeve Ekonomike, që vepron në kuadër të Zyrës së Prokurorit të Shtetit.

 

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, përmes Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” dhe Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri”, menaxhon dhe administron territorin dhe pasuritë e këtyre dy zonave të mbrojtura.