290 - Lajmi Single | AMMK

Regjistrit të zonave të mbrojtura i shtohen edhe 10 monumente të natyrës

03 March 2016

foto

03.03.2016- Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, në bashkëpunim me Departamentin e Biologjisë të FSHMN dhe Komunën e Rahovecit gjatë viteve 2014-2015 në kuadër të aktiviteteve të tij ka bërë edhe evidentimin e vlerave të natyrës dhe ka përgatitur elaboratet, gjegjësisht arsyeshmeritë profesionale për marrjen në mbrojtje të vlerave të natyrës në territorin e Komunës së Rahovecit. Vlerat natyrore të evidentuara i takojnë kategorisë së Monumenteve të Natyrës përkatësisht kategorisë së tretë (III) sipas IUCN-së.

 

Në kuadër të listës së monumentet e natyrës që janë marrë në mbrojtje nga Asambleja Komunale e Rahovecit janë: Trungu i frashërit (Fraxinus excelsior) në fshatin Kaznik, Trungu i shpardhit (Quercus frainetto) në fshatin Kaznik, Trungjet e dushkut (Quercus sp.) në fshatin Dobidol, Trungu i shpardhit (Quercus frainetto) në fshatin Drenoc I, Trungu i shpardhit (Quercus frainetto) në fshatin Drenoc II, Trungu i bungut (Quercus petraea) në fshatin Nagavc, Trungu i qarrit (Q. cerris) dhe Trungu i Vidhit (Ulmus minor) në fshatin Bratotin, Trungu i shpardhit (Quercus frainetto) në fshatin Bratotin, Shpella e Bali Agës në fshatin Zatriq dhe Shpella e Peshterrit në fshatin Zatriq.

 

Propozimi për marrjen nën mbrojtje ligjore të këtyre monumenteve të natyrës përveç vlerave të rralla natyrore si: madhësia, trashësia e trungjeve, vjetërsia, përmasat e kurorës etj, bazohet edhe nëvlerat tjera shkencore, edukative - arsimore, estetike, turistike etj. që i bëjnë këto monumente mjaftë atraktive për vizitorë.

 

Bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës  shpalljen e monumenteve të natyrës e bënë Asamblejae komunës në territorin e të cilës gjendet monumenti, pas marrjes paraprake të pëlqimit nga Ministria e Mjedisit dhe Planfikimit Hapësinor. Bazuar në këtë Asambleja Komunale e Rahovecit në mbledhjen e mbajtur me 29.02.2016, shqyrtoi raportin e studimeve të vlerave natyrore në territorin e komunës së saj dhe morri vendim për mbrojtjen e këtyre objekteve të propozuara. Me këtë rast përfaqësuesit e IKMN-se ishin pjesëmarrës ne këtë mbledhje me ç`rast paraqiten arsyetimet ligjore dhe profesionale për rendësin e marrjes se këtyre vlerave natyrore në mbrojtje.

 

Kjo arsyeshmëri profesionale e hartuara nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës paraqet vetëm një pjese të punës profesionale të këtij institucioni në lëmin e mbrojtjes se natyrës. IKMN do të vazhdojë edhe më tutje të angazhohet në njohjen, evidentimin dhe marrjen nën mbrojtje të vlerave te veçanta natyrore, monitorimin e vazhdueshëm të gjendjes së zonave të mbrojtura dhe ne dhënien e mendimeve profesionale në lëmin e mbrojtjes së natyrës.