277 - Lajmi Single | AMMK

Emetimet e gazrave serë në Kosovë

11 December 2015

foto

11.12.2015- Sot në Paris përfundon konferenca e OKB-së për ndryshime klimatike COP 21. Qëllimi kryesor i kësaj konference ishte bashkërendimi i aktiviteteve në nivel global për reduktimin e emetimeve te gazrave serrë dhe parandalimit të mëtutjeshëm të ndryshimeve klimatike.  Emetimet e gazrave serrë si rezultat i aktiviteteve të njeriut, vlerësohet të jenë shkaktarët kryesorë të ndryshimeve klimatike në nivelin global.

 

Edhe pse kontributi i Kosovës në emetimin e gazrave të serrës në nivel global pothuajse është i papërfillshëm, angazhimi i saj për t’iu bashkuar përpjekjeve botërore për të reduktuar emetimet e gazrave të serrës kanë qenë evident. Padyshim që një nga aktivitetet me të rëndësishme në këtë drejtim është përgatitja e inventarit nacional të gazrave të serës, si një nga mekanizmat kryesorë për të identifikuar burimet kryesore të emetimeve me qëllim të zbatimit të masave për reduktimin e tyre. 

 

Në vigjilje të kësaj konference, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, ka përgatitur një raport përmbledhës për emetimet e gazrave të serrës për periudhën kohore 2008-2013. Raporti vjen si rezultati punës në kompletimin e inventarit të gazrave serrë për vitin 2013, dhe i plotësimit të inventarit me të dhëna shtesë edhe për vitet paraprake. Në raport janë përfshirë emetimet e gazrave serë sipas sektorëve dhe nën-sektorëve si dhe është prezantuar trendi i emetimeve për periudhën kohore 2008-2013.

 

Vlerësohet që emetimet vjetore të gazrave serrë në Kosovë janë rreth 9.5 milion ton CO2 ekuivalent. Burimi kryesor i gazrave serrë është sektori i energjisë me pjesëmarrje prej 88% të totalit te emetimeve. Sektori i dytë është bujqësia me 7%. Sektori i mbeturinave përfaqëson rreth 3% të totalit të emisioneve kurse sektori i proceseve industriale dhe përdorimit të produkteve me rreth 2.5%. Sektori i pylltarisë dhe i shfrytëzimit të tokës është sektori i vetëm akumulues i gazrave serrë.

 

Raporti vlerëson se trendi i emisioneve totale të GHG në Kosovë në vitin 2013 shënon një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin 2012 (9568.4 Gg CO2 ekuivalent në vitin 2013, krahasuar me 9526.7 GgCO2 eq në vitin 2012). Ndërsa që viti me emetimet më të mëdha nga inventari i deritanishëm vlerësohet të jetë viti 2009 me 10507.2 Gg CO2 ekuivalent. Krahasuar me shtetet tjera në Evropë, Kosova ka emetime relativishttë ulëta për kokë banori (5.7 ton CO2 ekuivalent për kokë banori).

 

Në raport janë dhënë edhe rekomandime për të  reduktuar emetimin e gazrave ku ndër të tjera janë rekomanduar të zbatohen masa në: rritjen e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë, reduktimin e përdorimit të thëngjillit për energji, zëvendësimin e veturave të vjetra, përdorimi i transportit publik dhe promovimi i transportit të qëndrueshëm me më pak trafik motorik, përdorimi i teknologjisë për kapjen e CO2 në proceset industrial prodhuese, kontrolli i përdorimit të produkteve që hollojnë shtesën e  ozonit,  përdorimi i kontrolluar i fertilizerëve, përmirësimi i menaxhimit të mbeturinave përmes riciklimit, ndarjes dhe trajtimit të tyre si dhe zvogëlimi i prerjeve ilegale të pyjeve dhe ruajtja e destinimit të shfrytëzimit të tokave sipas kategorive.

 

Për më shumë shkarko raportin: Emetimi i Gazrave Serrë në Kosovë 2008-2013