272 - Lajmi Single | AMMK

Përfundoi takimi i 25-të i EPA Network

01 October 2015

foto

01.10.2015- Kryeshefi i AMMK-së dr.sc.Ilir Morina, ka përfaqësuar Kosovën në takimin e 25 të EPA Network (Rrjeti i kryeshefave të Agjencive të Mjedisit të Evropës), që është mbajtur në Rejkjavik të Islandës.

 

Në takimin kanë marrë pjesë përfaqësues nga Agjencitë e Mjedisit dhe institucionet tjera relevante të 39 shteteve evropiane si dhe përfaqësues të lartë nga Drejtoria e Përgjithshme për Mjedis e Komisionit Evropian.

 

Temat kryesore që janë diskutuar në takim ishin: Ekonomia e gjelbër në Evropë, menaxhimi i mbetjeve të plastikës, implementimi i direktivës kornizë të ujërave, bashkëpunimi në mes të rrjetit EPA Network dhe Komisionit Evropian, shkëmbimi i përvojave në kuadër të anëtarëve të rrjetit, angazhimi i Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA) në çështjet që kanë të bëjnë me ndryshimet klimatike në nivelin global si dhe ndotja nga përdorimi i herbicideve dhe ndikimi i tyre në biodiversitet.

 

Përveç programit zyrtarë të takimit janë realizuar edhe aktivitete dhe vizita sikurse janë vizita në vendet e prodhimit të energjisë gjeotermale në Islandë dhe vizita ne muzeun e marinës me qëllim njohjen me llojet e rralla të balenave dhe mbrojtjen e tyre.

 

Me këtë rast, kryeshefi i AMMK-së, është takuar edhe me Ministren e Mjedisit dhe të Resurseve Natyrore të Islandës znj.Sigrún Magnúsdóttir, ku është biseduar për bashkëpunimin në mes dy vendeve në sektorin e mjedisit. Kryeshfi i AMMK-së ka zhvilluar takime edhe me drejtorë të agjencive të ndryshme të mjedisit nga vendet e Evropës si nga Finlanda, Portugalia, Anglia, Zvicra, Holanda, Norvegjia, Suedia e Lituania.

 

Kosova është anëtare e këtij rrjeti që nga viti 2011, ndërsa vitin e kaluar ishte organizatore e takimit të 23 me radhë. Aktivitetet e saj Kosova përmes AMMK-së, i zhvillon jo vetëm përmes pjesëmarrjes në takimet e rregullta por edhe përmes aktiviteteve dhe programeve në kuadër të grupeve të interesit sikurse është ai për Ballkanin Perëndimorë ku është duke u punuar në hartimin e një programi të përbashkët të punës për këto vende.