Publikohet raporti për gjendjen e natyrës 2010-2014
21 July 2015
21.07.2015- Hartimi i Raportit për gjendjen e natyrës në Kosovë, është përgjegjësi dhe detyrë e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës e rregulluar sipas nenit 142 të Ligjit për Mbrojtje e Natyrës.
Qëllimi kryesor i Raportit është informimi i publikut për gjendjen e natyrës, zonave të mbrojtura dhe bidoversitetit të Kosovës, mirëpo përmes këtij Raporti, synohet që duke informuar politik bërësit të ndikohet në përmirësimin e politikave për menaxhimin dhe konservimin e vlerave të trashëgimisë natyrore dhe biodiversitetit.
Ky Raport mund të shërbejë edhe si një udhëzues i mirë për orientimin e projekteve dhe mbështetjes së donatorëve në sektorin e mbrojtjes së natyrës. Raporti përmban të dhëna për kornizën ligjore, strategjike dhe institucionale në sektorin e natyrës, gjendjen e zonave të mbrojtura të natyrës, biodversitetin, llojet e rralla bimore e shtazore, ekosistemet pyjore dhe ekoturizmin. Pjesë e rëndësishme e raportit janë edhe masat e ndërmarra për mbrojtjen e natyrës, konkluzionet dhe rekomandimet.
Të dhënat e prezantuara në këtë Raport janë mbledhur gjatë vizitave në terren nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, të dhëna që janë siguruar nga organet menaxhuese të zonave të mbrojtura, si dhe institucione tjera qeveritare dhe jo qeveritare. Pjesë e Raportit janë edhe informatat nga ligjet, strategjitë, publikimet, raportet dhe dokumentet tjera relevante për sektorin e mbrojtjes së natyrës.
Të dhënat e Raportit i referohen kryesisht periudhës 2010-2014, mirëpo në disa raste në mungesë të dhënave dhe për aspekte të krahasimit janë prezantuara të dhëna edhe për një periudhe të mëhershme.
Për më shumë shkarkoni raportin:
Gjendja e natyrës 2010-2014