04 May 2015
05.04.2015- Në kuadër të aktiviteteve për monitorimin dhe inventarizimin e biodiversitetit në zonat e mbrojtura të natyrës, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës në bashkëpunim edhe me zyrtarët nga Parku Kombëtar Bjeshkëte Nemuna dhe me përfaqësuesit nga OJQ ERA, ditë më parë ishin në vizitë terreni në zonën e Grykës së Rugovës në kuadër të Parkut Kombëtar Bjeshkët e Nemuna. Me këtë rast u bë vendosja e një kamere kurth në një pjesë të kësaj zone e cila besohet se është zonë e mundshme e lëvizjes së kafshëve të egra, me theks të veçantë e rrëqebullit (Lynx lynx).
Sikurse jeni njoftuar më herët Rrëqebulli është fotografuar nga organizata mjedisore ERA Group, përmes këtyre kamerave, në një zonë tjetër të Parkut Kombëtar Bjeshkët e Nemuna, dhe besohet që prania e tij të vërtetohet edhe në këtë zonë.
Kohë më parë AMMK përkatësisht Instituti për Mbrojtjen e Natyrës dhe Drejtoria për Administrimin e Parkut KombëtarSharri, kanë bërë vendosjen e pajisjeve monitoruese edhe zonën e Rezervatit strikt të natyrës Rusenicë në territorin e PK Sharri.
Kamerat-kurth janë aparate me shkrepje automatike, të pajisura me një sensor i cili detekton lëvizjen e kafshëve me gjak të ngrohtë dhe i fotografon ato në momentin që kalojnë përpara pajisjes. Këto pajisje montohen në drunj apo kunja të posaçëm. Kjo metodë është jo-intenzive për studimin e faunës, pasi gjeneron informacion në lidhje me praninë dhe numrin e llojeve të ndryshme, pa i shqetësuar ato.
Ky aktivitet njëherësh është edhe pjesë e projektit për rimëkëmbjen e rrëqebullit (Lynx lynx) në Ballkan, financuar dhe implementuar nga organizatat ndërkombëtare EURONATURE dhe KORA bashkë me partnerët e saj lokal në Kosovë pjesë e të cilëve është edhe Instituti përMbrojtjen e Natyrës.
Së shpejti pritet vendosja edhe e dy kamera tjera të cilat bashkërisht me kamerat tjera të vendosura nga përfaqësuesit e OJQ ERA si tërësi pritet të mbulohet një pjesë e konsiderueshme e territorit të Parkut Kombëtar Bjeshkët e Nemuna. Gjithashtu së shpejti do të vendosen edhe tri kamera të tilla në pjesë të ndryshme të PK Sharri.
Këto kamera pritet të sigurojnë të dhëna të besueshme për konstatimin e gjendje së faunës në këto zona të mbrojtur.