29 April 2015
29.04.2015- Sot në ambientet e Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, përkatësisht Institutit të Planifikimit Hapësinor, u mbajt ceremonia e hapjes së shqyrtimit publik për dokumentin e Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar Bjeshkët e Nemuna.
Ne ceremoninë hapëse mori pjesë edhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, z.Ferid Agani, i cili pasi urojë për punën që është bërë në përgatitjen e këtij dokumenti shprehu bindjen që i njëjti të shërbejë në funksion të zhvillimit të zonës dhe në eliminimin e problemeve dhe ndikimeve negative në Parkun Kombëtar Bjeshkët e Nemuna. Me këtë rast ai i bëri thirrje të gjitha palëve të interesuara që ta shfrytëzojnë mundësinë që të marrin pjesë në këtë shqyrtim publik përmes dhënies së sugjerimeve dhe rekomandimeve për përmirësimin e dokumentit.
Më pas drejtori i Institutit për Planifikim Hapësinorë z.Luan Nushi, bëri një prezantim të shkurtër të dokumentit duke i veçuar orientimet strategjike të dokumentit, sfidat gjatë procesit të hartimit, zonimin e zonës si dhe aspekte tjera zhvillimore në park duke përfshirë turizmin, demografinë, infrastrukturën, bujqësinë, pylltarinë, edukimin dhe sektorë tjerë me rëndësi.
Shqyrtimi publik paraqet një nga fazat në procesin e finalizimit të Planit Hapësinor të Parkut Kombëtar Bjeshkët e Nemuna dhe ka ardhur si një nga fazat e obligueshme pas përfundimit të draft planit dhe në bazë të Ligjit për Planifikim Hapësinor.
Sipas procedurave në fuqi, shqyrtimi publik dotë zgjasë 60 ditë nga dita e fillimit te shqyrtimit. Në kuadër të këtij procesi pritet angazhimi i të gjithë të interesuarve, në mënyrë të veçantë i ekspertëve, shoqatave të ndryshme, përfaqësuesve të komunave pjesëmarrëse dhe qytetarëve, të cilët me komente dhe rekomandime do të ndihmojnë në plotësimin e dokumentit final. Sipas procedurës, dokumenti i plotësuar do të dorëzohet në Qeveri dhe në Kuvendin e Kosovës për aprovim përfundimtar.
Përgatitja e dokumentit është koordinuar nga Instituti i Planifikimit Hapësinor dhe është rezultat i punës së përbashkët të sektorëve të rëndësishëm të Qeverisë së Kosovës, komunave, institucioneve relevante, profesionistëve të fushave të ndryshme si dhe pjesëmarrësve nga shoqëria civile.
Dokumentin mund ta gjeni dhe ta shkarkoni nga ueb-faqet www.mmph-rks.org dhe të njëjtin mund ta merrni në CD në zyrat e Institutit për Planifikim Hapësinor, ndërtesa e Ish Rilindjes kati XIV në Prishtinë.
Ndërsa komentet mund ti dërgoni në email adresat arben.rrecaj@rks-gov.net dhe gezime.grajqevci@rks-gov.net .