256 - Lajmi Single | AMMK

Konfirmohet prezenca e rrëqebullit ballkanik në Parkun Kombëtar Bjeshkët e Nemuna

23 March 2015

foto

23.03.2015- Rrëqebulli është fotografuar nga organizata mjedisore ERA Group, përmes kamerave të veçanta të quajtur “Kamera-kurth”. Përfaqësuesit e organizatës ERA Group, kanë dokumentuar prezencën e këtij lloji në territori ne Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” me fotografitë e bëra nga “kamerat –kurth”, dhe kanë propozuar që zona ku është fotografuar rrëqebulli të shpallet zonë strikte.

 

Për praninë e rrëqebullit në Bjeshkët e Nemuna ka pasur informacione prej viti 1974, por nuk ka pasur konfirmim të dokumentuar me fotografi. Kosova është vendi i tretë që e ka dokumentuar praninë e rrëqebullit në territorin e saj përmes fotografive.

 

Shpërndarja aktuale e rrëqebullit ballkanik është e kufizuar në Ballkanin jugperëndimor, kryesisht ne zonat kufitare mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, duke u përhapur në veri në Mal të Zi dhe në Kosovë.Vlerësohen të jenë më pak se 100 individ dhe paraqet specien e rrëqebullit më të rrezikuar në tërë botën.

 

Ky rezultat vjen si pjesë e aktiviteteve të projektit të mbështetur nga Euronature dhe Kora, “Mbrojtja dhe konservimin e natyrës së egër në territorin e Ballkanit” i cili që nga viti 2013 e ka shtrirë aktivitetin e tij edhe në Kosovë përmes organizatave ERA Group dhe “FINCH”.  Qëllimi kryesor i këtij projekti është ruajtja e rrëqebullit, e gjahut te tij dhe e habitatit të tij.

 

Rrëqebulli i Ballkanit (Lynx lynx martinoi) është nënspecie e Rrëqebullit të Euroazisë (lynx lynx). Është kafshë e egër mishngrënëse dhe bën pjesë në familjen e maceve (Felidae), me trup deri një metër të gjatë, me qime të buta, të dendura e me ngjyrë të murrme lara-lara, me veshë të ngritur e me bisht të shkurtër. Rrëqebulli në Kosovë është kafshë e mbrojtur me ligj që nga viti 1973.