04 February 2015
04.02.2015-Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, i shoqëruar nga ambasadorja e Francës në Kosovë, znj. Maryse Daviet dhe Kryeshefi i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina, kanë rihapur Shpellën e Gadimes, e cila ishte mbyllur pasi që është realizuar një investim në ndriçimin e brendshëm me vlerë prej 11 mijë eurosh të financuar nga ambasada franceze.
Ky investim nga ministri Agani u vlerësua si shumë i qëlluar, ngase sipas tij, është mundësuar dhe ngritur siguria si e shpellës ashtu edhe e vizitorëve. Ministri Agani, falenderoi ambasadoren franceze për ndihmën e pakursyer të shtetit nga ajo vjen dhe u zotua se institucioent kosovare, do të angazhohen që ky bashkëpunim i ndërsjellë të avancohet edhe më tutje. Po ashtu ministri Agani, bëri të ditur se nga 20-26 prill 2015 katër zyrtarë të drejtorisë së shpellës do të ndjekin një trajnim të specializuar për ciceron dhe menaxhim shpellash në jug të Francës, donacion ky i qeverisë së francese.
Ambasadorja znj. Maryse Daviet, tha se investimet në këtë shpellë, do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, ngase sipas saj, karakteristikat që i posedon kjo shpellë janë të një rëndësie të veçantë dhe unikale. Gjithashtu u bë e ditur se është angazhuar një kompani e specializuar e cila ka përgatitur projektin detal me paramasa dhe parallogaritë për kompletimin e jashtëm te ndërtesave dhe rrugëve mbështetëse, projekt i cili do të realizohet në të ardhmen.