08 January 2015
08.01.2015- Në kuadër të aktiviteteve për monitorimin dhe inventarizimin e biodiversitetit në zonat e mbrojtura të natyrës, AMMK përkatësisht Instituti për Mbrojtjen e Natyrës dhe Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar Sharri, kanë bërë vendosjen e pajisjeve monitoruese në zonën e Rezervatit strikt të natyrës Rusenicë.
Vendosja e kamerës kurth është kryer në një pjesë të kësaj zone e cila besohet se është zonë e mundshme e lëvizjes së kafshëve të egra, me theks të veçantë rrëqebullit (Lynx lynx) për ruajtjen e të cilit lloj edhe është shpallur ky rezervat natyre qysh në vitin 1955.
Kamerat-kurth janë aparate me shkrepje automatike, të pajisura me një sensor i cili detekton lëvizjen e kafshëve me gjak të ngrohtë dhe i fotografon ato në momentin që kalojnë përpara pajisjes. Këto pajisje montohen në drunj apo kunja të posaçëm. Kjo metodë është jo-intenzive për studimin e faunës, pasi gjeneron informacion në lidhje me praninë dhe numrin e llojeve të ndryshme, pa i shqetësuar ato.
Ky aktivitet njëherësh është edhe pjesë e projektit për rimëkëmbjen e rrëqebullit (Lynx lynx) në Ballkan, financuar dhe implementuar nga organizatat ndërkombëtare EURONATURE dhe KORA bashkë me partnerët e saj lokal në Kosovë pjesë e të cilëve është edhe Instituti për Mbrojtjen e Natyrës.
Katër kamera janë vendosur më parë në park me ndihmën e organizatës EURONATURE në kuadër të projektit për monitorimin e rrëqebullit dhe katër të tjera u vendosen para 2 javësh me përkrahjen e Universitetit Amerikan në Kosovë në disa pjesë të parkut me të vetmin qëllim të monitorimittë gjendjes dhe pranisë së llojeve të ndryshme të shtazëve të egra e me theks të veçantë në gjetjen e rrëqebullit.
Nga ana e këtij Universiteti së shpejti pritet vendosja e rreth 15 kamera tjera e që si tërësi pritet të mbulohet një pjesë e konsiderueshme e territorit të Parkut Kombëtar me këto lloje të kamerave të cilat do të sigurojnë të dhëna të mjaftueshme për konstatimin e gjendje së faunës ne këtë zonë të mbrojtur.