18 December 2014
18.12.2014- Pas renovimit të sistemit elektrik dhe përmirësimit të infrastrukturës së brendshme, Shpella e Gadimes, që nga dita e nesërme do te jetë e gatshme të pret vizitorët. Projekti për rregullimin e ndriçimit në shpellë dhe përmirësimi i infrastrukturës së saj, është mbështetur nga AmbasadaFranceze në Kosovë. Në kuadër të këtij projekti janë mënjanuar edhe problemet e qarkullimit të ujit në shpellë. Deri te realizimi i këtij investimi ka ardhur pas kërkesës së Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, drejtuar Ambasadës Franceze në Kosovë për të ndihmuar në revitalizimin e e këtij monumenti.
Në kuadër të këtij angazhimi kohë më parë,disa ekspertë francezë kanë vizituar Shpellën e Gadimes, për tu njohur nga afër me gjendjen e këtij monumenti të mbrojtur të natyrës. Gjatë vizitës ata kanë evidentuar edhe problemet kyçe dhe nevojat për revitalizimin e Shpellës dhe një nga problemet emergjente ka qenë rregullimi i ndriçimit të shpellës dhe modernizimi i tij.
Për shkak të ndriçimit jo adekuat të shpellës është vlerësuar se në shpellë ka pasur probleme në zhvillimin natyror të kristaleve dhe gjithashtu janë krijuar kushte për zhvillimin e myshqeve, algave dhe kërpudhave të cilat e kanë dëmtuar imazhin e brendshëm të shpellës. Modernizimi i sistemit elektrik të Shpellës dhe ndriçimi flouroscent i saj do të jenë një motiv shtesë për vizitorët për të shijuar bukuritë e kësaj perle të nëntokës së Kosovës.
AMMK synon që përmes donatorëve të realizojë edhe investime tjera në Shpellën e Gadimes, duke i rikthyer asaj epitetin e destinacionit të preferuar turistik jo vetëm me përmasa nacionale por edhe regjionale dhe botërore. Po ashtu do të vazhdojnë edhe hulumtime shkencore speleologjike,gjeologjike dhe hidrologjike në Shpellën e Gadimes dhe do të eksplorohen edhe mundësitë për hapjen për vizitorë edhe të galerive tjera të saj. Nuk do të mungojë edhe angazhimi për promovimin e vlerave të shpellës si dhe sensibilizimin dhe edukimin e opinionit për ruajtjen e saj.
Përndryshe, Shpella e Gadimes është një ndër shpellat më të bukura jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan e më gjerë. Në këtë shpellë paraqiten të gjitha llojet e kristaleve, stalagmite dhestalaktite, në forma dhe madhësi të ndryshme, e posaçërisht tërheqin vëmendjen kristalet e rralla aragonite që janë fenomen shumë i rrallë. Shpella është e vjetër me dhjeta miliona vite. Shpella e Gadimes është vënë nën mbrojtje menjëherë pas zbulimit me 29 korrik 1969. Ndërsa në vitin 1982 është marrë vendimi për vënien në mbrojtje të Shpellës si gjeomonument me vlera të posaçme të natyrës. Sipërfaqja e mbrojtur e shpellës është rreth 39 ha.