13 August 2014
13/08/2014- Pas kërkesës së Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, ambasada franceze në Kosovë ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në revitalizimin e Shpellës së Gadimes. Në kuadër të këtij angazhimi kohë më parë, disa ekspertë francezë kanë vizituar Shpellën e Gadimes, për tu njohur nga afër me gjendjen e këtij monumenti të mbrojtur të natyrës. Ata janë shprehur të mahnitur me bukuritë e kësaj shpelle dhe me mundësitë që ofron ajo për zhvillimin e turizmit. Gjatë vizitës ata kanë evidentuar edhe problemet kyçe dhe nevojat për revitalizimin e Shpellës. Nga të dhënat e mbledhura ekipi i ekspertëve francezë kanë hartuar një Raport mbi bazën e të cilit do të hartohet edhe një Plan i Veprimit përmes së cilit do të bëhet revitalizimi i Shpellës së Gadimes.
Pjesë e këtyre angazhimeve ka qenë edhe vlerësimi i gjendjes teknike te shpellës nga ku ka dalë rekomandimi për ndërrimin e sistemit elektrik në shpellë dhe modernizimin e tij, me qëllim te krijimit të sigurisë më të lartë të vizitorëve dhe ruajtjes së ambientit natyror në shpellë. Ky njëherit do të jetë edhe projekti i parë që pritet të fillojë së shpejti në mbështetje të ambasadës franceze. Në kuadër të angazhimeve tjera për funksionalizimin e plotë të punës në këtë monument, MMPH përkatësisht AMMK, ka angazhuar një staf profesional për Administrimin e Monumentit të Natyrës me Rëndësi të Veçantë Shpella e Gadimes, dhe ka hapur shpellën për vizitorë. Që nga rihapja e shpellës me datën 26 Maj 2014 , atë e kanë vizituar rreth 12 mijë vizitorë duke i rikthyer këtij monumenti reputacionin e dikurshëm dhe duke krijuar edhe qëndrueshmëri financiare në menaxhimin e saj.
Gjithashtu në kuadër të planeve afatmesme MMPH përkatësisht AMMK planifikon që në këtë zonë të behën edhe investime tjera si në: rregullimin e infrastrukturës në shpellë, rregullimin e rrugës, rregullimin e shtratit të lumit dhe rregullimin e ndiçimit efiçent publik në zonën përreth. Përveç ndihmës që po ofron ambasada franceze pritet që në këtë zonë të ketë edhe investime tjera nga donatorët e huaj. Përmes këtyre investimeve do të përfitojë edhe komuniteti lokal qoftë përmes krijimit të vendeve të reja të punës, përmes punësimit sezonal, përmes përfitimeve që do të kenë bizneset lokale apo edhe përmes mbështetjes direkte të bizneseve lokale dhe aktiviteteve tradicionale.
AMMK beson që me këto investime Shpella e Gadimes do të jetë një destinacion turistik jo vetëm me përmasa nacionale por edhe regjionale dhe botërore. Krahas kësaj pritet që fshati Gadime e ulët i Lipjanit të jetë një model i zhvillimit të turizmit rural dhe ekoturizmit. Natyrisht gjatë këtij procesi zhvillimore do të vazhdojnë edhe hulumtime shkencore speleologjike, gjeologjike dhe hidrologjike në Shpellën e Gadimes dhe do të eksplorohen edhe mundësitë për hapjen për vizitorë edhe të galerive tjera të Shpellës. Nuk do të mungojë edhe angazhimi për promovimin e vlerave të shpellës si dhe sensibilizimin dhe edukimin e opinionit për ruajtjen e saj.

Përndryshe, Shpella e Gadimes është një ndër shpellat më të bukura jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan e më gjerë. Në këtë shpellë paraqiten të gjitha llojet e kristaleve, stalagmite dhe stalaktite, në forma dhe madhësi të ndryshme, e posaçërisht tërheq vëmendjen kristalet e rralla aragonite që janë fenomen shumë i rrallë. Shpella është e vjetër me dhjeta miliona vite. Shpella e Gadimes është vënë nën mbrojtje menjëherë pas zbulimit me 29 korrik 1969. Ndërsa në vitin 1982 është marrë vendimi për vënien në mbrojtje të Shpellës si gjeomonument me vlera të posaçme të natyrës. Sipërfaqja e mbrojtur e shpellës është rreth 39 ha (ku rreth 37 ha është në pronësi shtetërore dhe rreth 2 ha pronësi private).
Që nga pas lufta për shkak të problemeve pronësore dhe mos definimit të statusit të saj, Shpella e Gadimes nuk kishte menaxhimin e duhur. Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës vazhdimisht kishte raportuar dhe alarmuar për dëmtimin e shpellës dhe degradimin e saj. Si rezultat i saj, në vitin 2009, me vendim të Qeverisë së Kosovës, Shpella e Gadimes, vihet në mbrojtje si Monument i Natyrës me rëndësi të veçantë. Gjatë vitit 2013, Agjencia e Kosovës për Privatizim, Shpellën e Gadimes i a kalon në pronësi dhe në menaxhim, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë.