12 August 2014
12/08/2014- Në dhjetor të këtij viti do të bëhen dy vite që kur Kuvendi i Kosovës ka shpallur territorin e Bjeshkëve të Nemuna Park Kombëtarë. Që nga koha e shpalljes si Park Kombëtarë, përkundër shumë vështirësive, janë arritur rezultate të prekshme në menaxhimin e territorit të mbrojtur të Bjeshkëve të Nemuna dhe konservimin e natyrës së këtij rajoni. Menaxhimi, rritja e bashkëpunimit ndërinstitucionale, realizimi i projekteve, hartimi i dokumenteve, shenjëzimi i zonës dhe vetëdijesimi i komunitetit janë vetëm disa nga të arriturat që mundë të veçohen.
Në kuadër të menaxhimit institucional e arritura kryesore konsiderohet themelimi i drejtorisë për Administrimin e PK Bjeshkët e Nemuna, hartimi i rregullores për rendin e brendshëm dhe nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit me komunat Deçan, Junik, Istog, Gjakovë, Dragash dhe Kaçanik për transferin e kompetencave, burimeve njerëzore, burimeve financiare, inventarit dhe aseteve qe ndërlidhen me menaxhimin e Parkut Kombëtare nga niveli komunat tek MMPH.
Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional përveç bashkëpunimit shumë të mirë me komunat është rritur edhe bashkëpunimi me Policinë e Kosovës, Gjykatat dhe me Prokurorinë. Kështu në kuadër të këtyre angazhimeve deri me tani janë dorëzuar 124 kërkesa për fillimin e procedurave kundërvajtëse bazuar në fletëparaqitjet e Rojeve te Natyrës për prerje ilegale të pyllit si dhe janë dorëzuar 37 kërkesa për fillimin e procedurave penale kundër prerësve ilegal të pyllit. Janë shqiptuar 36 aktvendime nga ana e gjykatave për prerësit ilegal të pyllit në favor të MMPH-AMMK si dhe janë ngritur edhe 2 padi penale. Njoftimet nga terreni flasin se është reduktuar dukshëm sasia e masës drunore të prerë në mënyrë ilegale në territorin e Parkut Kombëtarë.

Përfundimi i zonimit të territorit të Parkut Kombëtarë Bjeshkët e Nemuna dhe fillimi i procesit të hartimit të Planit Hapësinorë për parkun janë dy nga aktivitetet tjera me rëndësi që janë realizuar gjatë kësaj periudhe kohore. Nuk ka munguar as bashkëpunimi me Organizatat Joqeveritare me qëllim të rritjes së vetëdijesimit për mbrojtjen e kësaj pasurie të rralla natyrore, ndërkohë që janë organizuar edhe dhjetëra takime dhe debate me komunitetin lokal dhe përfaqësues të grupeve tjera të interesit me qëllim të zgjidhjes së problemeve dhe dhënies së informatave dhe sqarimeve për të gjitha brengat dhe paqartësitë që kanë ata në lidhje me parkut.
Kanë vazhduar edhe hulumtimet në evidentimin dhe eksplorimin e vlerave natyrore të zonës e sidomos në lëmin e speleologjisë dhe llojeve të rralla bimore e shtazore.
Edhe interesimi i donatorëve dhe organizatave ndërkombëtare për të ndihmuar në përmirësimin e menaxhimit dhe konservimin e zonës nuk ka munguar. Janë realizuar disa projekte ndërkohë që janë në fazën e finalizimit edhe disa projekte që pritet të implementohen ne zonë.

Parku Kombëtarë Bjeshkët e Nemuna, është bërë pjesë edhe e disa projekteve regjionale dhe ndërkufitare kurse vlerat e tij turistike dhe peisazhore tashmë janë të njohura jo vetëm në regjionin e Ballkanit por edhe më gjerë. Bjeshkët e Nemuna janë një ndër destinacionet më të vizituara turistike në Kosovë nga turistët e huaj dhe për vlerat që përfaqësojnë kanë marrë edhe çmime ndërkombëtare.
Shenjëzimi i territorit dhe vendosja e shenjave të ndryshme informative ka filluar në disa nga pjesët dhe hyrje daljet më të frekuentuara të parkut dhe pritet të vazhdojë edhe në pjesë tjera.
Është bërë edhe incizimi detal i të gjitha objekteve dhe veprimtarive që gjenden ne territorin e Parkut si dhe digjitalizimi i të dhënave të grumbulluara nga terreni.