223 - Lajmi Single | AMMK

Më shumë se 80% të gazrave serrë në Kosovë emetohen nga sektori i Energjisë

30 April 2014

foto

30.04.2014- Me rastin e takimit përmbyllës të projektit “Transferi i përvojës Çeke: Aktivizimi i sistemit te monitorimit të inventarit të gazrave serre”,  të organizuar nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës dhe të mbështetur nga UNDP janë prezantuar edhe rezultatet kryesore nga Inventari i Gazrave Serrë për Vitin 2012.

Sipas të dhënave të prezantuara për vitin 2012, emetimet e përgjithshme të të gjitha gazrave serrë në vitin 2012 arritën 9.5 Mt CO2 eq. Dyoksid karboni përbën rreth 80 % të të gjitha emetimeve, ndërsa metani dhe oksidi i azotit  janë rreth 10 %. Të ashtuquajturat gaze të reja serrë, siç janë HFC-të (hidrofluorokarbon) dhe PFC-të (perfluorokarbon), janë pothuajse të papërfillshme. Sektori i Energjisë është sektori dominant në kuadër të totalit të regjistrimeve të gazrave serrë me 87% të emetimeve në kuadër të cilit kategoria Industria Energjetike dominon me e 75%  të emetimeve kurse transporti me 12 %.  Në kuadër të totalit të emetimeve të gazrave serrë sektori i Bujqësisë përfaqëson 8% të të gjitha emetimeve, sektori i Mbeturinava 4 % kurse sektori i Proceseve industriale dhe përdorimit të produkteve 1%.

 Vlerësohet se Kosova, në krahasim me vendet e tjera në Evropë, akoma ka emetim relativisht të ulët për kokë banori. Kjo ndodh kryesisht për shkak të kushteve të favorshme gjeografike dhe për shkak të mungesës së industrive me energji intensive, bujqësisë intensive dhe mungesës së menaxhimit të mbeturinave.

Përndryshe në takimin e mbajtur me këtë rast u tha se edhe pse Kosova nuk është pjesë e UNFCCC-së (Konventa Kornizë e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike) apo Protokolit të Kyotos, Qeveria e Kosovës, ngjashëm me BE-në, konsideron ndryshimin e klimës si fushë prioritare dhe është përkushtuar në dhënien e kontributit të vet për zgjidhjen e kësaj sfide globale.

Zv. Ministri i MMPH-së. Z. Shpëtim Rudin në fjalën e tij ndër të tjera tha se: “MMPH ka hartuar Strategjinë Kornizë për Ndryshimet Klimatike në kuadër të së cilës janë planifikuar edhe masat dhe veprimet nacionale për zbutjen dhe adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike. Po ashtu edhe në kuadër të Planeve dhe Strategjive tjera sektoriale te MMPH-se por edhe te Ministrive tjera relevante janë marrë në konsideratë çështjet që ndërlidhen me ndryshime klimatike dhe me gazrat serrë”.

Ndërsa kryeshefi ekzekutiv i AMMK-së, në fjalën e tij falënderoi UNDP-në dhe Qeverinë Çeke për mbështetjen e projektit, kurse përfaqësuesja e UNDP-së, znj. Steliana Nedara shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e UNDP-së për të mbështetur edhe projekte të tjera të kësaj natyre.

Projekti “Transferi i përvojës Çeke: Aktivizimi i sistemit te monitorimit të inventarit të gazrave serre”,  është mbështetur nga -UNDP zyra në Kosovë, dhe nga “Czech Trust Fund”, zbatuar nga Qendra për Mjedis e Universitetit të Charlsit në Pragë, në bashkëpunim me MMPH/AMMK. Koordinatori i projektit z. Miroslav Havranek nga Universiteti i Charlsit ka prezantuar rrjedhën dhe aktivitetet kryesore të projektit kurse z. Rizah Hajdari nga AMMK ka prezantuar rezultatet kyçe nga inventari i gazrave serrë për vitin 2012.

Në takim kanë marrë pjesë edhe pjesë përfaqësues të lartë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, UNDP, Ambasadës Çeke, dhe përfaqësues nga institucionet tjera qeveritare dhe jo qeveritare.

Baza e te dhënave për regjistrin e gazrave të serrës (GHG) në të ardhmen do të menaxhohet nga Agjensioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) dhe do të përdoret për t’u raportuar në institucionet nacionale dhe ato ndërkombëtare.