15 April 2014
15.04.2014- Kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosoves, dr.sc. Ilir Morina është takuar sot me kryetaren e Komunës së Gjakovës znj. Mimoza Kusari-Lila. Në takimin në të cilin kanë marrë pjesë edhe u.d. i drejtorit të Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtarë Bjeshkët e Nemuna Fatmir Morina dhe përfaqësuesi nga Instituti i Planifikimit Hapësinorë Faton Deva, është biseduar për bashkëpunimin në mes të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës dhe Komunës së Gjakovës për mbrojtjen dhe menaxhimin më efikas të resurseve natyrore të PK Bjeshkët e Nemuna.
Me këtë rast AMMK dhe Komuna e Gjakovës kanë nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit për transferin e kompetencave, burimeve njerëzore, burimeve financiare, inventarit dhe aseteve qe ndërlidhen me menaxhimin e Parkut Kombëtare nga niveli komunal tek MMPH, përkatësisht DAPK Bjeshkët e Nemuna.
Në takim është biseduar edhe për realizimin e projekteve të përbashkëta të AMMK-së dhe Komunës së Gjakovës në territorin e Parkut Kombëtarë Bjeshkët e Nemuna, ne hartimin e Planit Hapesinore per parkun dhe mundësitë tjera të bashkëpunimit ne sektorin e mbrojtjes së mjedisit.
Territori i Bjeshkëve të Nemuna është shpallur Park Kombëtarë me miratimin e ligjit për Parkun Kombetare "Bjeshkët e Nemuna". Ky është Parku i dyte Kombëtarë i Kosoves që përfshinë sipërfaqe prej 62.488 ha dhe shtrihet në territorin e komunave: Gjakovë, Junik, Pejë, Deçan dhe Istog.
Territori i shpallur Park Kombëtarë veçohen me vlera të rralla natyrore, me numër të madh të ekosistemeve të rëndësishme pyjore, me habitate të rëndësishme të llojeve të rralla si dhe karakteristika të pasura hidrologjike, gjeomorfologjike dhe peizazhore që kanë rëndësi shkencore, edukativo-arsimore dhe turistike-rekreative.
Që nga shpallja e zonës si Park Kombëtarë, AMMK përmes donatorëve ka realizuar disa projekte me rëndësi në këtë zonë, ndërkohë që gjatë këtij viti pritet të fillojnë së implementuari edhe disa projekte tjera që do të ndihmojnë në përmirësimin e menaxhimit dhe ruajtjes së vlerave natyrore të parkut.