21 February 2014
21.02.2014- Pas njoftimit se në territorin e Parkut Kombëtar "Sharri" është evidentuar një dëm i konsiderueshëm nga prerjet ilegale të pyllit dhe pas dyshimit se një punonjës i Parkut ka bërë shpërdorim të detyrës zyrtare, Drejtoria e Parkut doli në inspektim me ç′rast vërejti se në territorin e Manastrecit janë shkaktuar dëme të konsiderueshme të pyllit. Pas inspektimit tre ditorë në terren nga komisioni i ngritur nga Drejtoria e PK Sharri, vlerësoi se dëmi i shkaktuar kapë shumën në vlerë monetare rreth 53.000 .
Roja e pyllit e dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare është denoncuar në organet ndjekëse. Pas intervistimit nga organet e hetuesisë në konsultim me prokurorin i njëjti është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje 48 orë.
MMPH ka kërkuar nga organet e hetuesisë që të hetojnë rastin dhe të identifikojnë edhe të dyshuarit tjerë. Drejtoria e Parkut Kombëtar "Sharri" ka ofruar në dispozicion të gjitha dëshmitë e grumbulluara nga terreni në lidhje me dëmin e shkaktuar dhe pret zbardhjen e rastit dhe ndërmarrjen e masave tjera ligjore.
Në ndërkohë në pajtim me Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor , përkatësisht Drejtoria e Parkut Kombëtarë Sharri bëri pezullimin e rojës, dhe inicioi procedurat disiplinore ndaj tij.