201 - Lajmi Single | AMMK

Përmbyllet projekti për konservimin e biodiversitetit në Dragash

05 December 2013

foto

05/12/2013- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) organizoi sot ceremoninë përmbyllëse të projektit Menaxhimi i Qëndrueshëm i Shfrytëzimit të Tokës dhe Konservimi i Biodiversitetit në Komunën e Dragashit. Gjatë katër viteve sa ka zgjatur, ky projekt ka arritur rezultate të lakmueshme në fushën e konservimit te biodiversitetit dhe mbrojtjes së mjedisit në komunën e Dragashit. Me një vlerë të përgjithshme prej 4 milionë Euro financuar nga qeveria finlandeze, projekti ka lënë pas plane zhvillimore dhe menaxhuese, strategji, përkrahje ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, bujqëve dhe krijim të vendeve të punës. Prezent në këtë ceremoni ishin edhe e ngarkuara me punë e ambasadës finlandeze në Kosovë, znj. Anne Meskanen, Kryetari i Komunës së Dragashit, mysafirë, zyrtarë dhe përfitues të këtij projekti.

 

Kryeshefi i AMMK-se, Ilir Morina ne fjalën e tij ka falënderuar ambasadën finlandeze dhe UNDP për projektin dhe ka përmenduar disa nga te arriturat kryesore si: Hartimi i Planit Menaxhues për Parkun Kombëtarë Mali Sharr,  Hartimi i Planit Financiar dhe Planit të Biznesit për Parkun Kombëtarë Mali Sharr,  Vlerësimi Ekonomik i Ekosistemeve të Komunës së Dragashit, hulumtimi i biodiversitetit të zonës së Dragashit, zgjerimi i territorit të Parkut Kombëtare Sharri edhe ne territorin e Dragashit, vetëdijesimin e popullatës dhe komunitetit lokal për ruajtjen e biodiversitetit dhe rendësin e zonave të mbrojtura përmes publikimeve dhe fushatave si dhe thellimi i bashkëpunimit në mes të Parkut Kombetare Sharri, Komunës së Dragashit, OJQ-ve, komunitetit lokal, bizneseve etj.

 

Në përmbyllje të ceremonisë mysafirët janë shërbyer me drekë shtëpiake tradicionale me produkte të prodhuara në Dragash, duke prezantuar kështu edhe një pjesë të kultures dhe traditës së këtij regjioni. Projekti “Konservimi i biodiversitetit dhe menaxhimi i përdorimit të qëndrueshëm të tokës në Dragash” ka pasur për synim që përmes ruajtjes së biodiversitetit, planifikimit hapësinor dhe mjedisor, zhvillimit lokal ekonomik, strategjisë së qëndrueshme të energjisë dhe ngritjes se kapaciteteve të arrijë kornizat e nevojshme për zhvillim të qëndrueshëm lokal.