Edukimi për zhvillim të qëndrueshëm
26 July 2013
26/07/2013- Studentët e Universitetit të 13 Veror të Prishtinës nga kursi Edukimi për zhvillim të qëndrueshëm, janë pritur sot nga kryeshefi i Agjencionit për Mbrojtjet e Mjedisit të Kosovës, dr.sc. Ilir Morina. Kryeshefi i AMMK-së, para tyre ka mbajtur ligjëratën Gjendja e mjedisit në Kosovë. Në fokus të kësaj ligjërate ishte gjendja e përgjithshme e mjedisit në Kosovës në të gjithë sektorët mjedisor si ajri, uji, toka, biodiversiteti, shëndeti publik dhe mbeturinat.
Po ashtu kryeshefi i AMMK-së, gjatë ligjëratës së tij foli edhe për strukturën institucionale në sektorin e mjedisit, legjislacionin mjedisor, dokumentet strategjike mjedisore, të arriturat dhe sfidat e Kosovës në sektorin e mjedisit. Studentët u ndanë të kënaqur nga kjo ligjëratë dhe përveç mundësisë për tu informuar për gjendjen e mjedisit atyre iu shpërndanë edhe Raporte për gjendjen e mjedisit të publikuara nga AMMK dhe publikime tjera informative nga sektori i mjedisit.
Përndryshe në kuadër të edicionit të sivjetmë të Universitetit Veror të Prishtinës po marrin pjesë rreth 600 studentë, vendorë e ndërkombëtar, nga të gjitha viset e botës. Ky është Universiteti i 13 Veror Ndërkombëtar që organizohet në Prishtinë. Në këtë eveniment, tashmë tradicional, pjesëmarrësit përveç nga Edukimi dhe Zhvillimi i qëndrueshëm po ndjekin kurse edhe nga disiplina të ndryshme si shkencat sociale, juridike, ekonomike, bujqësore, arti, mjekësia etj.