178 - Lajmi Single | AMMK

Së shpejti fillon procesi i zonimit të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”

23 July 2013

foto

23/07/2013- Në kuadër të procesit për Hartimin e Planit Hapësinorë për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, me vendim të kryeshefit të AMMK-së, Ilir Morina, është caktuar grupi i ekspertëve për zonimin e parkut. Në kuadër të këtij grupi përveç ekspertëve nga AMMK dhe MMPH, janë përfshirë edhe ekspertë të jashtëm nga Departamenti i Biologjisë dhe Departamenti i Gjeografisë i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore si dhe përfaqësues nga Organizatat Joqeveritare Mjedisore.

 

Përveç analizimit të dokumenteve ekzistuese, hartave dhe materialeve tjera relevante, ekipi i ekspertëve do të realizojë edhe vizita terreni për hulumtimin e vlerave natyrore të parkut, identifikimin e lokacioneve të llojeve të rralla bimore dhe shtazore si dhe realizimin e matjeve, dhe mbledhjen e materialit faktik nga terreni. Nga të gjeturat e grupit të ekspertëve do të propozohen zonat e mbrojtjes së Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.   

 

Zonimi i parkut dhe përcaktimi i zonave me regjime të ndryshme të mbrojtjes është i paraparë edhe me Ligjin për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”. Sipas ligjit në park, duhet të vendosen 3 regjime mbrojtëse: Zona e parë e cila është pjesë e territorit me veçori të jashtëzakonshme natyrore që duhet të ketë karakterin e zonës së mbrojtjes strikte, zona e dytë e cila është pjesët e territorit që karakterizohen me ekosisteme dhe vlera tjera të natyrës ku mund të ushtrohen veprimtaritë që nuk janë në kundërshtim më qëllimet e mbrojtjes dhe zona e tretë e cila është pjesë ku lejohet shfrytëzimi i qëndrueshëm i paraparë për ndërtim të objekteve për pushim, rekreacion e turizëm dhe nevojat e banorëve për shfrytëzim të qëndrueshëm të të mirave të natyrës. Parku do të ketë edhe zonën e ndikimit, hapësira kjo që shërben për parandalimin e ndikimeve të dëmshme.

 

Zonimi i Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, Ligji për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” dhe Arsyeshmëria profesionale për shpalljen e këtij territori si zonë e mbrojtur do të jenë baza kryesore për hartimin e Planit Hapësinorë për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.