177 - Lajmi Single | AMMK

Programi i Rimëkëmbjes së Rrëqebullit të Ballkanit zgjerohet edhe në Kosovë

23 July 2013

foto

23/07/2013- Zyrtarë nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës dhe nga Drejtoria e Parkut Kombëtar Sharri, kanë qenë pjesë e programit të trajnimit për rimëkëmbjen e rrëqebullit (Lynx lynx) në Ballkan, implementuar nga Programi i Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) me partnerët e saj Euronatur dhe KORA. 

Trajnimi i mbajtur në Parkun Kombëtar të Valbonës, në Alpet Shqiptare kishte për qëllim vendosjen e një rrjeti monitorimi rajonal për Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën dhe Malin i Zi për mbledhjen e të dhënave sistematike për rrëqebullin dhe prenë e tij.
Pjesëmarrësit u njohën me parimet e monitorimit, metodat, identifikimin e gjurmëve, dhe rolin e njeriut në fushën e studimit të jetës së egër. Programi i trajnimit përfshinte edhe prezantime nga kërkues dhe specialist të mirënjohur në fushën e ruajtjes së mishngrënësve të mëdhenj. 

Krahas prezantimit teorik mbi parimet dhe teknikat e monitorimit të faunës, rezultatet dhe mësimet e nxjerra nga përvoja e zbatimit të Programit në Shqipëri dhe Maqedoni, pjesë e trajnimit ishte puna në terren dhe aktivitetet praktike për njohjen e biodiversitetit të zonës dhe zbatimit të njërës prej metodave të monitorimit të rrëqebullit, që kryhet me anë të vendosjes së kamerave-kurth. 


Në trajnim u vu në fokus edhe rëndësia e përfshirjes së komunitetit lokal në monitorimin e faunës dhe rritjen e ndërgjegjësimit të tij për ruajtjen e jetës së egër.
Zgjerimi i rrjetit për monitorimin e rrëqebullit të Ballkanit rrit edhe më tej angazhimin për ruajtjen e popullatës së ngelur të rrëqebullit të Ballkanit.