12 June 2013
12/06/2013- Përfaqësuesit e Parqeve Kombëtare dhe Parqeve të Natyrës nga vendet e rajonit të Ballkanit kanë realizuar një vizitë studimore në Parkun Kombëtar Sharri. Me këtë rast ata kanë parë nga afër se si bëhet menaxhimi i zonave të mbrojtura në Kosovë dhe cilat janë vlerat e këtyre zonave, me theks të veçantë Parkut Kombëtar Sharri. Gjatë vizitës ata kanë vizituar rezervatin e natyrës Ujërat e humbura, që është një fenomen i rrallë i natyrës jo vetëm për rajonin por edhe më gjerë.
Kryeshefi ekzekutiv i AMMK-së, Ilir Morina, i ka dëshiruar mirëseardhje pjesëmarrësve të vizitës dhe njëherit ka shprehur kënaqësinë që edhe Zonat e Mbrojtura të Kosovës, janë pjesë e projektit të Parqeve të Harkut Dinarik. Ndërsa Drejtori i PK Sharri, Hazer Dana, i ka njoftur pjesëmarrësit e vizitës me historikun, vlerat natyrore të Parkut dhe me menaxhimin e tij.
Në këtë vizitë studimore përveç mysafirëve nga 7 vendet e Ballkanit Perëndimorë kanë marrë pjesë edhe përfaqesues nga institucionet mjedisore të Kosovës, përfaqësues nga zonat e mbrojtura si dhe përfaqësues nga Komisioni Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinorë.
Ky udhëtim studimor është pjesë e projektit të WWF-it "Parqet e Harkut Dinarik" dhe pas Kosovës është ka vazhduar me një vizitë edhe në Parqet Kombëtare në Maqedoni. Përmes këtij projekt synohet krijimi i një rrjeti të parqeve natyrore dhe parqeve kombëtare në territorin e Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë, Sllovenisë dhe Serbisë. Rreth tridhjetë ekspertë që punojnë në sektorin e mbrojtjes së natyrës nga rajoni kanë mundësinë të mësojnë se si në zonat e tyre të mbrojtura mund të bëhet diçka e dobishme për popullatën lokale, për çka natyra nuk do të pësonte dhe që ekonomikisht do të ishte e realizueshme.