18 March 2013
18/03/2013- Iniciativa e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, e nisur vite me parë që ka për qëllim largimin e arinjve të murrmë nga mini-kopshtet zoologjike dhe strehimin e tyre në një habitat natyrorë të përshtatshëm ka filluar të japë rezultatet e para. Me ndihmën e Fondacionit për mbrojtjen e kafshëve të egra Vier Pfoten, në afërsi të liqenit të Badovcit është ngritur një strehimore për arinjtë e murrmë. Banori i parë i kësaj strehimore është ariu i quajtur Kasandara që po mbahej i izoluar tek restauranti Gjeraqina afër Duhles se Suharekes. Ai me ndihmën e ekipeve profesionale të fondacionit Vier Pfoten, KFOR-it dhe ekspertëve të IKMN-së dhe me mbështetjen e Pollicisë së Kosovës, është transportuar dhe është vendosur në strehimore.
Në hapjen e strehimores mori pjesë edhe ministri i Mjedisit, Dardan Gashi, ministresha për Integrime Europian, Vlora Çitaku, komandanti i KFOR it, Volker Halbauer, dhe ambasadori austriak në Kosovë, Johann Brieger.
Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, që vepron në kuadër të Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka evidentuar se paku 15 arinj të murrmë që mbahen nëpër mini-kopshte të ndryshme zoologjike. Gjatë këtij viti të gjithë këta arinj do të vendosen në strehimoren e ngritur në afërsi të liqenit të Badovcit. Kjo do të mundësohet falë marrëveshjes së bashkëpunimit e cila është nënshkruar në mes të MMPH dhe Fondacionit për Mbrojtjen e Kafshëve Vier Pfoten. Marrëveshja parasheh gjetjen, transportin, mbajtjen dhe përkujdesjen e arinjve të murrmë në strehimoren në Badovc. Projekti parasheh po ashtu edhe trajnimin e stafit që do të përkujdeset për arinjtë.
Praktikat e tilla ku llojet e mbrojtura të arinjve mbahen në strehimore të veçanta gjysmënatyrore zbatohen në shumë shtete të botës. Këto praktika krahas përkujdesjes për arinjtë e murrmë (Ursus Arctos) që konsiderohen si lloj i rrezikuar i gjitarëve mundë të shërbejnë edhe për turizëm.
Rasti i Kosovës është i pari në rajon që po arrin të finalizohet, pasi që Vier Pfoten ishte përpjekur që të mbështeste hapjen e strehimore të ngjashme edhe në Shqipëri dhe Serbi por nuk kishte pasur sukses.
