156 - Lajmi Single | AMMK

“Jeta pa Kosovën A” në sytë e fëmijëve

06 February 2013

foto

06/02/2013-“Jeta pa Kosovën A”, është tema e një gare në vizatim-pikturim, në të cilën kanë marrë pjesë nxënësit e 6 shkollave fillore nga Komuna e Obiliqit dhe ajo e Fushë-Kosovës, si pjesë e një fushate për ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e opinionit për mbrojtjen e mjedisit nga ndotja prej termocentraleve.  Fushata është iniciuar dhe përkrahur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

 

Nga gjithsejtë 500 punime që kanë marrë pjesë në garë dhe që janë prezantuar edhe në profilin facebook.com/jetapakosovena , 24 prej tyre janë përzgjedhur dhe janë publikuar në një katalog të punimeve.  Nga fëmijët është kërkuar që përmes vizatimeve dhe pikturave të shprehin vizionin e tyre për të ardhmen pa Termocentralin Kosova A.

 

Qielli i kaltër, peizazhet e gjelbëruara, parqet me lule e pemë, lumenjtë e pastër, turbinat e erës, fëmijët e lumtur duke u rritur në një mjedis të pastër, janë imazhet që nxënësit do të donin ti shihnin në të ardhmen në vend të tymtarëve që nxjerrin tym, të hirit, të qiellit ngjyrë gri dhe të lumenjve të ndotur.   Porosia kryesore që vjen nga imagjinata e fëmijëve është se mbyllja dhe çmontimi i Termocentralit Kosova A do të rezultojë më një mjedis më të pastër dhe me jetë më të shëndetshme për të gjithë.

 

Në fakt, vizioni i fëmijëve për jetën pa Kosovën A, nuk është i parealizueshëm dhe shumë lehtë mundë të bëhet realitet. Mbyllja e Termocentralin Kosova A, është planifikuar të ndodhë në fund të vitit 2017 dhe është vlerësuar se do të kushtojë rreth 28 milion euro.  

Qeveria e Kosovës tani  më ka themeluar tri grupe punuese për procesin e dekomisionimit të TC Kosova A, që është edhe faza e parë e mbylljes se këtij termocentrali. Mbyllja e TC “Kosova A” është edhe  pjesë e obligimeve që Kosova ka marrë në kuadër të Traktatit të Komitetit të Energjisë dhe gjithashtu  është e planifikuar edhe në kuadër të Strategjisë së Energjisë 2009-2018 e miratuar në Kuvendin e Kosovës.