06 February 2013
06/02/2013- Komuna e Prishtinës dhe Komisioni Evropian kanë nënshkruar kontratën Menaxhimi i Qëndrueshëm i Parkut të Gërmisë, përmes të cilës, Komisioni Evropian ndan 360 mijë euro donacion që do të investohen në projektin e Komunës për Parkun e Gërmisë. Projekt do të kushtojë rreth 510 mijë euro, dhe komuna e Prishtinës do të marrë pjesë ne projekt me 150 mijë euro.
Përveç tjerash projekti Menaxhimi i Qëndrueshëm i Parkut të Gërmisë parasheh rregullimin e shtigjeve për këmbësorë, rregullimin e shtigjeve për çiklistë, rregullimin e vendpushimeve për qytetarë dhe rregullimin e ndriçimit publik në tërë pjesën rekreative të zonës . Ajo çka e bënë të veçantë këtë projekt është ndërtimi i shtegut për Trenin Ekologjik, i cili përveç që do të jetë një risi për Kosovën, ka për synim që të nxisë qytetarët që të mos përdorin makinat e tyre në hapësirat e parkut.
Përndryshe, Parku i Gërmisë është shpallur zonë e mbrojtur e natyrës për shkak të bukurive të rralla natyrore, vlerave burimore dhe estetike natyrore me rëndësi kulturore- arsimore, shkencore dhe turistike- rekreative.
Një pjesë e masivit malorë të Gërmisë është shpallur si Pyje për piknik në vitin 1966. Në vitin 1987 Kuvendi Komunal i Prishtinës merr Vendim për vënien nën mbrojtje të Kompleksit Gërmia në kuadër të kategorisë Park Regjional i Natyrës me një sipërfaqe prej prej 1.126 ha. Aktualisht Komuna e Prishtinës e menaxhon Parkun e Gërmisë përmes ndërmarrjes Hortikultura, ndërsa mbikëqyrjen profesionale e bën Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës i cili vepron në kuadër të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.
Në vitin 1990, Parku i Gërmisë është evidentuar edhe në listën ndërkombëtare të zonave të mbrojtura nga Unionit Botëror për Ruajtjen dhe Konservimin e Natyrës (IUCN, 1990 United Nation List of National Parks and Protected Areas).
Mbi 75 % e sipërfaqes së Parkut të Gërmisë është e mbuluar me pyje mjaftë të ruajtura me bashkësi të shpardhit, qarrit, bungut dhe ahut. Një pjesë të rëndësishme të sipërfaqes së mbrojtur e përfshinë edhe zona për rekreacion dhe pushim. Kjo zonë është e rrethuar me pyje të dushkut dhe të ahut, me pamje atraktive dhe është i dedikuar për pushim dhe rekreacion. Këto vlera atraktive natyrore dhe ajri i pastër i Gërmisë tërheqin vëmendjen që një numër i madh i banorëve të kryeqytetit dhe rrethinës të kalojnë një pjesë të ditës ose edhe fundjavën aty.