Në Shtime zbulohet edhe një shpellë
30 January 2013
30/01/2013- Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, ka marrë informacion se në territorin e Komunës së Shtimes, përkatësisht në fshatin Topillë, ditë më parë është zbuluar edhe një shpellë. Sipas informacioneve të para bëhet fjalë për një shpellë me vlera të rralla natyrore e cila ka hyrje natyrore, një korridor që vazhdon me gjatësi rreth 20 metra dhe një pjesë tjetër e cila ende nuk është eksploruar. Shpella gjendet, rrugës për në fshatin Topillë, përkatësisht disa qindra metra mbi vendin e quajtur Vrella e Zezë. Shpellën e ka zbuluar i riu Idriz Rexhaj, nga fshati Petrovë, derisa po punonte në nxjerrjen e gurëve në këtë lokacion.
Zyrtarë komunale nga komuna e Shtimes e kanë vizituar lokacionin e shpellës dhe kanë ndërmarrë masat fillestare për ruajtjen e saj nga dëmtimet. Ditët në vijim, pritet që edhe ekspertët nga Instituti për Mbrojtjen e Natyrës që vepron në kuadër të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, të vizitojnë shpellën dhe të japin vlerësimin për vlerat natyrore të shpellës dhe për hapat që duhet ndërmarrë për marrjen e saj në mbrojtje ligjore.
Përndryshe , territori i komunës së Shtimes është i njohur si territor i pasur me shpella. Institutit për Mbrojtjen e Natyrës ka të evidentuar në regjistrin e zonave me vlera natyrore edhe disa shpella tjera në këtë komunë sikur janë Shpella e Pjetërshticës, Shpella e Lakuriqëve, Shpella e Imer Devetakut etj.
Në të ardhmen planifikohet që këto shpella të hulumtohen, dhe pastaj të punohet në e përmirësimit e infrastrukturës së nevojshme me qëllim të hapjes së tyre për vizitorë meqenëse këto monumente të rralla natyrore, krahas vlerave natyrore karakterizohen edhe me vlera historike, kulturore dhe turistike.