Bjeshkët e Nemuna, Parku i Dytë Kombëtarë i Kosovës
24 December 2012
24/12/2012- Me miratimin e ligjit për Parkun Nacional "Bjeshkët e Nemuna", Kosovës i është shtuar edhe një zonë e mbrojtur me ligj me status të Parkut Kombëtarë. Është ky Parku Kombëtarë Bjeshkët e Nemuna që përfshinë sipërfaqe prej 62.488 ha dhe shtrihet në territorin e komunave: Gjakovë, Junik, Pejë, Deçan dhe Istog.
Territori i shpallur Park Kombëtarë veçohen me vlera të rralla natyrore, me numër të madh të ekosistemeve të rëndësishme pyjore, me habitate të rëndësishme të llojeve të rralla si dhe karakteristika të pasura hidrologjike, gjeomorfologjike dhe peizazhore që kanë rëndësi shkencore, edukativo-arsimore dhe turistike-rekreative.
Në këtë park, me këtë ligj janë vendosur regjimet mbrojtëse sipas zonës së parë (pjesë e territorit me veçori të jashtëzakonshme natyrore dhe gëzon karakterin e zonës së mbrojtjes strikte), zona e dytë (pjesët e territorit që karakterizohen me ekosisteme dhe vlera tjera të natyrës ku mund të ushtrohen veprimtaritë që nuk janë në kundërshtim më qëllimet e mbrojtjes), zona e tretë (pjesë ku lejohet shfrytëzimi i qëndrueshëm, e paraparë për ndërtim të objekteve për pushim, rekreacion e turizëm dhe nevojat e banorëve për shfrytëzim të kufizuar të të mirave të natyrës) dhe zona e ndikimit (hapësira prej 50 metrave nga kufiri i Parkut që shërben për parandalimin e ndikimeve të dëmshme).
Këtë park do ta administrojë Drejtoria për Administrimin e PK Bjeshkët e Nemuna e cila pritet të themelohet brenda 6 muajve nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë dhe do të jetë pjesë e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.
Arsyeshmëria profesionale për marrjen në mbrojtje të Parkut Kombëtarë të Bjeshkëve të Nemuna është hartuar në vitin 2003 nga Instituti për Mbrojtjen e Natyrës.
Per me shume shiko: