BALLINA BreadCrumbTrailer Eko-opinion BreadCrumbTrailer Si t'i bëjmë ballë një...

Si t'i bëjmë ballë një shoqërie që hedh çdo gjë?

Në mesin e shumë problemeve mjedisore në Kosovë është i theksuar edhe problemi i mbeturinave. Aty ku njerëzit jetojnë dhe punojnë gjithmonë tepron diçka që nuk nevojitet më.

Zhvillimi ekonomik sjell mirëqenie dhe rehati . Të gjithë ndjehemi mirë kur kemi në dorë mallra që nuk i kemi njohur më parë, kur jemi të rrethuar nga bollëku i produkteve. Reklamat na nxisin t'i dëshirojmë artikujt e papërdorur më parë, dhe që të punojmë për të krijuar mundësinë për t'i pasur ato.

Sa më shumë artikuj të konsumuar aq më shumë hedhurina krijohen. Sasia e këtyre hedhurinave është rritur jashtëzakonisht. Në ditët e sotme bota tregtare ka shumë gjëra për të shitur, dhe për këtë ka zhvilluar botën e reklamave e cila do që të na bëjë të besojmë se kemi nevojë për të gjitha këto gjëra. Në terminologjinë e reklamave fjala produkt "i ri" nënkupton "më i mirë dhe më i efektshëm", ndërsa "i vjetër" nënkupton "i dorës së dytë dhe jashtë mode". Kështu që, shpesh nxitemi të blejmë diçka të re në vend se të ndreqim diçka të vjetër .Thuhet se të zëvendësosh gjërat e vjetra është më praktike dhe më ekonomike se sa t'i ndreqësh ato. Ndonjëherë kjo është e vërtetë, por të hedhësh shpesh gjërat e vjetra e t'i zëvendësosh me të reja kushton, dhe shumë herë është e panevojshme. E ashtuquajtura shoqëri konsumi ka bërë që jetëgjatësia e produkteve sa vjen e shkurtohet. Ajo që dje ishte e modës, sot është jashtë mode, dhe shpesh hidhet të plehrat. Në këtë mënyrë, gjërat që mund të përdoren përsëri përfundojnë si plehra pa pikë vlere. Lindë pyetja: a i sjellin dobi konsumatorit të gjitha këto blerje pa fre? Sigurisht që ata që kanë dobi nga kjo janë firmat tregtare, qëllimi i të cilave është të mbushin arkat e tyre me para. Por, edhe kur i përdorim mobilet ose makinën për të gjithë jetën, ose edhe për dyfishin e kohës që ato përdoren sot, do të vinte me siguri deri te falimentimi i ekonomisë, që do të linte edhe konsumatorët të papunë.

Natyra që prej miliona vjetësh ka prodhuar, dhe vazhdon të prodhojë mbeturina të cilat i përdor sërish, siç janë; mbetjet bimore(degët e thara, gjethet e rrëzuara ) dhe ato shtazore (kafshët dhe shpezët e ngordhura etj ),dhe kafshët e ndryshme të tokës (krimbat e shiut, kërmijtë, merimangat, shumëkëmbëshat etj) që shndërrohen në humus. Përderisa natyra me sukses i përdor mbetjet, njeriu edhe pse me ndërgjegje, nuk i respekton parimet ekologjike për qarkullime të ndryshme ashtu siç vepron natyra. Ai përdorë në mënyrë të pakufizuar energjinë dhe hapësirën natyrore.

Përparimet e teknologjisë krahas zhvillimit të paparë ekonomik njëkohësisht kanë çuar në përdorimin joracional të burimeve të Tokës duke shteruar burimet e tyre. Përveç shterimit të pakontrolluar, gjatë eksploatimit të këtyre burimeve natyrore nuk i kushtohet vëmendje e duhur ndalimit të ndotjeve të mëdha të mjedisit jetësor. Zgjidhja me e mirë e problemit të mbeturinave do të ishte që ato të krijohen sa më pak në të gjitha situatat. Në aspektin e konsumit të produkteve nga konsumatorët e fundit kjo do të nënkuptonte që secili prej nesh të blinte vetëm gjëra të nevojshme duke iu ikur atyre të panevojshmeve, me çka do të kishim më pak mbeturina, megjithëse kjo bie ndesh me qëllimet dhe dëshirat e prodhuesve.

Shumë njerëz janë mësuar me shërbimin e heqjes së mbeturinave (plehrave ). Mirëpo, këta njerëz aktualisht janë të mësuar ta shohin vetëm njërin element të procesit, pra derdhjen e koshit të plehrave në makinën e transportit të tyre, por më tutje këta aspak nuk e lodhin trurin për elementet tjera të këtij procesi. Mbeturinat nuk zhduken me vendosjen e tyre ne rimorkion e makinës transportuese. Këto mbeturina ka mundësi që të grumbullohen në grumbullin e mbeturinave tjera, ashtu siç janë, dhe mbeten në natyrë pa u përkujdesur kush për to. Në këto mbeturina do të bie shi, borë, do t'i godas acari dhe vapa. Që të gjitha këto dukuri natyrore bëjnë veprimet e tyre në forma të ndryshme dhe përfundimisht këto mbeturina bëhen shkaktare të ndotjes jo vetëm të ajrit, por edhe të tokës dhe ujit. Fakti së elementet e mbeturinave në të shumtën e rasteve janë produkte të përpunimeve të lëndëve kimike etj, ato gjatë kohës dhe ndikimit të dukurive të ndryshme klimatike me kohë rifitojnë vetinë e dëmtuesve të shëndetit nëpërmjet këtyre elementeve kimike.

Po ashtu, rrugë e rrezikshme nëpërmjet të cilës rritet mundësia e prekjes së shëndetit të njeriut nga mbeturinat, është edhe bartja e sëmundjeve të transmetueshme, me anë të kafshëve si : me anë të qenve rrugaçë, me anë të minjve, me anë të mizave , mushkonjave etj , nëpërmjet të të cilëve përhapet dizenteria , tifoja , hepatiti e shumë sëmundje tjera .

Vendet e depozitimit të mbeturinave në të shumtën e rasteve janë pranë përroskave, apo edhe lumenjve ,dhe ku shtrati i deponisë nuk është i drenazhuar dhe nuk ka kanale kulluese që e evitojnë bashkimin e ujërave të ndyta dhe të rrezikshme me ujin e pastër.

Çdo gjë që i shkakton probleme mjedisit jetësor, në fakt na shkakton në një formë apo tjetër probleme secilit prej nesh, sepse shëndeti ynë varet drejtpërsëdrejti nga shëndeti i mjedisit ku jetojmë. Mjedisi i pastër-shëndeti i mirë !

Për të gjithë ne mbeturinat ose plehrat, do të duhej të ishin një shqetësim i madh deri në shkallën e vetëveprimit. Mirëpo, kjo nuk ndodh në Kosovë. Madje situatën e bënë shqetësuese sjellja indiferente e njerëzve ndaj mjedisit.

Qëndrimi i drejtë ndaj disa parimeve kryesore të sjelljes së mirë do të na ndihmojë t'i bëjmë ballë më mirë problemeve kur jetojmë në një shoqëri konsumi ku një numër i madh artikujsh janë një përdorimesh dhe ku ambalazhi është më masë shpesh herë më të madhe se sa vlera përdoruese e mallit.

Mos i çoni dëm gjërat

Gjërat qe nuk i përdorni, por që ende kanë vlerë përdorimi ,në vend qe t'i hidhni në plehra, përse të mos ua jepni të tjerëve që mund të jenë në nevojë për to?

Prindërit e mençur i mësojnë fëmijët që të hedhin në pjatë vetëm aq ushqim sa mund të hanë. Duke vepruar në këtë mënyrë, bëjnë më pak plehra ,dhe çojnë më pak sasi të produkteve ushqimore dëm. Parimi që të mos i çojmë dëm gjërat mund të zbatohet edhe për vlerat tjera përdoruese siç janë: rrobat, mobilet dhe makinat. Kur i mbajmë gjërat në gjendje të mirë me anë të riparimeve ,dhe kur i përdorim për një kohë sa më të gjatë që është e përshtatshme tregojmë se i vlerësojmë gjërat që kemi, duke ju shmangur kështu lakmisë. Një filozof dhe dramaturg romak i shekullit të parë patë thënë:"Për lakminë e gjithë natyra do të ishte tepër e vogël ". Edhe filozofi i shek. 20 Erik From e tha me fjalë të tjera të njëjtën gjë: "Lakmia është një pus pa fund, e cila e sfilit individin në një përpjekje të pafund për të kënaqur nevojat pa arritur kurrë kënaqësi".

Të mësojmë të ndajmë me të tjerët

Para se të hidhni gjërat që janë ende në gjendje të mire, mendoni se kush mund të jetë i lumtur po t'i ketë ato. Për shembull, kur fëmijëve nuk u vijnë më rrobat për trup, por që janë në gjendje të mirë, a mundet që t'i përdorin ato ende fëmijë të tjerë edhe pse janë të përdorura?

A mund të bëni të njëjtën gjë edhe me gjërat tjera të cilat janë ende me vlerë, por qe nuk i përdorni më? Ndani gëzimin që keni provuar nga një send, duke ia dhënë atë dikujt tjetër, sepse gëzimi kur ndahet me të tjerët shumëfishohet.

Të ndash me të tjerët është virtyt i lartë njerëzor. Edhe bota do të ishte shumë më mirë sikur të gjithë njerëzit të ishin të gatshëm për të ndarë me të tjerët.

Të kënaqemi me gjerat e nevojshme .

Nevojat e njeriut rriten vazhdimisht dhe këto përcaktohen nga shkalla e zhvillimit të shoqërisë. Ai që kënaqet me atë që ka, dhe që e arrin me punën e tij ,në përgjithësi është njëri i lumtur. Ky njeri që ndjehet i lumtur me atë që ka krijuar me punën e vet, vlerat e përdorimit i përdor dhe nuk i hedh pa menduar mirë për to. Hedhja e çdo gjëje pa menduar se a ka pasur mundësi të përdorohet, blerja e gjërave të panevojshme, dhe hedhja e tyre pa konsumuar as për së afërmi vlerën e plotë të përdorimit të tyre, nuk krijon lumturi të vërtetë. Mentaliteti "hidhe se s'prish punë "është dëm i shoqërisë. Duket se gjithnjë e më shumë njerëzit po fillojnë ta kuptojnë këtë. Po ju?

 

Tone GASHI