Detyrat dhe përgjegjësitë
Parku Kombëtar Sharr është Parku i parë kombëtar i shpallur në Kosovë në vitin 1986. Funksionimi i Parkut Nacional ka filluar në vitin 1995, ndërsa është ndërprerë gjatë periudhës 1999 2002, dhe përsëri është riaktivizuar në maj të vitit 2002.
Parku Kombëtar "Sharr" Shtrihet në pjesën jugore të Republikës së Kosovës dhe shtrihet për gjatë kufirit me Republikën e Maqedonisë. Sipërfaqja e Parkut nacional, sipas Ligjit, është 39000 ha, e cila gjendet në territorin e katër komunave: Prizren (19 500 ha / 50%), Shtërpcë (15 210 ha / 39%), Suharekë (2 730 ha / 7%) dhe Kaçanik (1560 ha / 4%). Me Parkun nacional ,,Mali Sharr menaxhon Drejtoria e Parkut Nacional me seli në Prizren,e cila funksionin në kuadër të Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës. Drejtoria e Parkut Kombëtar ,,Sharr i kryen të gjitha funksionet që i takojnë menaxhimit të qëndrueshëm të resurseve natyrore që kanë të bëjnë me planifikimin, organizimin, udhëheqjen dhe kontrollën.
Veprimtarit kryesore në kuadër të menaxhimit të resurseve natyrore janë: mbrojtja dhe zhvillimi i resurseve natyrore, hulumtimi dhe studimi i vlerave natyrore, shfrytëzimi racional dhe i qëndrueshëm i pasurive natyrore, kompletimi i infrastrukturës ligjore, organizative dhe financiare për menaxhimin e qëndrueshëm të Parkut nacional, etj. Drejtoria e Parkut me qëllim të mbrojtjes dhe menaxhimit më efikas të resurseve të Parkut bashkëpunon me shumë institucione. Puna e kësaj drejtorie është ngushte e lidhur edhe me institucionet e tjera shtetërore siç janë: qeveritë qendrore dhe qeveritë komunale, policia, prokuroria, gjykata, inspekcionet, emergjenca, brigada e zjarrfikësve.
Po ashtu kjo drejtori bashkëpunon ngushtë edhe me institucionet joqeveritare siç janë shoqatat ekologjike, shoqatat e gjahtarëve, bjeshkatarëve, peshkatarëve etj. Drejtoria e Parkut Kombetar ,,Sharr në përbërjen e vetë dy Sektorë: Sektorin e Pylltarisë dhe Sektorin e Biologjisë, të cilët i kryejnë punët nga fusha e tyre profesionale. Në kuadër të stafit Parkut veçohen: stafi udhëheqës, profesional dhe administrativ - të cilit punët i kryejnë në zyre dhe në terren, dhe kujdestarët - të cilit vazhdimisht janë në terren me qëllim të kryerjes së aktiviteteve në mbrojtjen dhe vëzhgimin e resurseve natyrore (pyjeve, florës dhe faunës).
Parku menaxhohet në bazë të Ligjit për Parkun Kombetar Sharr. Ligjet e tjera mbështetëse për menaxhimin e Parkut nacional janë: Ligji për Mbrojtjen e Natyrës, Ligji për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligji për pyjet dhe Kodit Penal i Republikës së Kosovës. Menaxhimi i Parkut rregullohet edhe përmes Planit Hapësinor për Parkut dhe Planit Menaxhues për Parkut.