BALLINA BreadCrumbTrailer Arkivi - Lajme

Ekosistemet e ujërave të ëmbla evropiane, janë të kërcënuara seriozisht

03.02.2012- Biodiversiteti në liqenet dhe lumenjtë e Evropës është duke u pakësuar. Ky alarm vjen nga një raport i publikuar së fundi nga Komisioni Evropian, sipas të cilit, ndotja e ujërave, mbipeshkimi, humbja e habitateve dhe futja e specieve invasive nëpër ekosistemet e ujërave tokësore kërcënojnë një numër të madh llojeve të  peshqve, molusqeve, kërmijve dhe bimëve në ujërat e ëmbla të Evropës.  

 

 

Ky raport, vlerëson gjithashtu se edhe situata me llojet e faunës tokësore nuk është në gjendje më të mirë, duke paralajmëruar për një rënie alarmuese të numrit të llojeve të rrezikuara.  Sipas Raportit, peshqit e ujërave të ëmbla, amfibet, bimët vaskulare dhe mbi të gjitha, molusqet janë nën kërcënim të veçantë. Ekosistemet e ujërave të ëmbla evropiane, janë të kërcënuara seriozisht andaj kërkohen veprime urgjente konservimi, rekomandon studimi. Ndotja e ujit, mbipeshkimi, humbja e habitateve dhe futja e specieve jo-autoktone, janë disa nga shkaqet kryesore për rënien e numrit të specieve ujore në Evropë.

 

 

Raporti është përgatitur në bazë të një studimi të kryer nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) i cili ka bërë vlerësimin e gjendjes së 6000 llojeve të specieve të ujërave në lumenjtë dhe liqenet e Evropës të përfshira në Listën e Kuqe Evropiane. Sipas tij, rreth 44 % e të gjitha molusqeve të ujërave të ëmbla, 37 % e llojeve të  peshqve të ujërave të ëmbla  si dhe 23 %  e amfibeve tani janë nën kërcenim. Po ashtu edhe rreth 20 % e molusqeve tokësore, 19 % e zvarranikëve, 15 % e gjitarëve dhe 13 % e zogjve janë të kërcënuara gjithashtu, vlerëson hulumtimi.

 

 

Fatkeqësisht në Kosovë ende nuk ka ndonjë vlerësim të detajuar për llojet e rrezikuara. Kosova ende nuk e ka Listën e kuqe të llojeve përkundër faktit se ka pasur iniciativa nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës përkatësisht nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës.   

 

 

Prapa