BALLINA BreadCrumbTrailer Arkivi - Lajme

Vazhdojnë ekspeditat hulumtuese në Shpellën Gryka e Madhe dhe në Shpellën e Radavcit

25.02.2011- Shpella Gryka e Madhe në Grykën e Rugovës dhe Shpella e Radavcit,  vazhdojnë të jenë objekt hulumtimi i speleologëve ndërkombëtarë dhe të huaj. Prej datës 19.02.2011 deri me 25.02.2011 është realizuar edhe një ekspeditë hulumtues në këto dy shpella dhe në hapësirat për rreth tyre. Ekspedita është rezultat i bashkëpunimit në mes të Shoqatës së Speleologëve “Aragonit” nga Peja, Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, si dhe i ekipit të Speleologëve nga Republika e Sllovakisë. Pjesë e ekspeditës hulumtues ka qenë edhe një ekip nga AMMK-ja. Gjatë kësaj ekspedite janë hulumtuar disa korridore dhe galeri të reja të cilat nuk kanë qenë të eksploruara më parë. Po ashtu në këto shpella janë bërë edhe disa matje të galerive dhe korridoreve, nga këto matje është punuar harta digjitale e shpellave. Korridoret dhe galeritë e hulumtuara janë të pasura me stalaktitet dhe stalagmite që paraqesin vlera të rralla shkencore dhe turistike. Ekspedita të ngjashme me qëllim të hulumtimit të korridoreve dhe galerive tjera të pa eksploruara ne këto dy shpella do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Shpella Gryka e Madhe ndodhet në kilometrin e tetë të Grykës së Rugovës, në anën e djathtë, rreth 90 m mbi shtratin e Lumëbardhit të Pejës. Hyrja e shpellës gjendet në lartësinë mbidetare 637 m. Gjatësia e korridoreve dhe e galerive të hulumtuara është rreth 13.450 m. Kjo shpellë është njëra ndër shpellat më të mëdha në Kosovë dhe regjion.

Shpella Gryka e Madhe është krijuar nga rrjedhja ujore në shkëmbinjtë e triasikut. Në brendësi të shpellës gjendën disa lumenj dhe liqej nëntokësorë të formave dhe madhësive te ndryshme, të cilët kanë ndikuar në zgjerimin e korridoreve dhe galerive nëntokësore. Shpella Gryka e Madhe ka vlera të rralla natyrore, shkencore, hidrike, biologjike, edukative-arsimore dhe turistike. Kjo shpellë është një ndër objektet natyrore më atraktive për realizimin e ekspeditave hulumtuese dhe turistike jo vetëm në masivin e Bjeshkëve të Nemuna por edhe në regjionin e Ballkanit Perëndimorë.

 

Prapa